1
Qoftë lavdëruar Ai; i pastër është Ai nga të metat – i cili, në një çast të një nate, e ka bartë robin e Tij (Muhammedin) nga Tempulli i shenjtë (Mekka) në Tempullin e largët (Jerusalemi), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’ia dëftuar atij disa nga dokumentet Tona. Ai (Perëndia), me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.
2
Dhe ia dhamë Musait Librin dhe e bëmë atë udhërrëfyes për bijtë e Israelit – (duke u thënë atyre): “Mos merrni përpos Meje kurrfarë përfaqësuesi,
3
(O), pasardhësit e atyre që Ne i bartëm me Nuhun (në barkë)!” Ai (Nuhu) me të vërtetë, ka qenë rob mirënjohës (i Zotit).
4
Dhe Ne u kemi shpallur në Libër bijve të Israelit: “Ju me të vërtetë, do të bëni dy herë ngatërresa në Tokë dhe do të tregoni mendjemadhësi të tepërt.
5
E, kur erdhi premtimi i parë prej atyre dyjave (ngatërresave), i dërguam kundër jush robërit Tanë, të fuqishëm luftëtarë, dhe u sollëm gjerë e gjatë nëpër tokën tuaj. Ky ishte premtimi i kryer (dënimi).
6
Pastaj, ua kthyem sërish juve (fuqinë e sulmit) kundër tyre dhe u ndihmuam juve me pasuri dhe djem dhe u bëmë në numër më të madh ushtarësh. –
7
Nëse bëni mirësi, bëni për vete. E, nëse bëni keq, i bëni vetes. E, kur erdhi premtimi i dytë, i dërguam Ne ata (armiqtë tuaj) për t’ju nxirë fytyrat tuaja, dhe që të hyjnë ata në tempull, sikundër që patën hyrë herën e parë dhe të shkatërrojnë plotësisht çdo gjë që e pushtojnë.
8
Behet që Zoti juaj t’ju mëshiroj, e nëse ju ktheheni (në të keqe), Na kthehemi (në dënim) kundër jush. Dhe xhehennemin e kemi bërë burg për mohuesit”.
9
Me të vërtetë, ky Kur’an udhëzon kah ajo që është më e drejtë dhe i sihariqon besimtarët që punojnë vepra të mira, se ata, me të vërtetë, do të kenë shpërblim të madh,
10
e, atyre që nuk besojnë në jetën tjetër, u kemi përgatitur dënim të dhembshëm.
11
Njeriu mallkon në të keqe, ashtu siç lutet edhe për të mirë (pa menduar fundin); e njeriu është i ngutshëm.
12
Dhe, Ne kemi bërë natën dhe ditën dy argumente (që dëshmojnë fuqinë Tonë); e kemi shlyer argumentin e natës, kurse argumentin e ditës e kemi bërë të ndritshëm, për të kërkur ju dhunti nga Zoti juaj, dhe që të dini numrin e viteve dhe njehsimin e kohës, dhe çdo gjë e kemi shpjeguar plotësisht.
13
Çdo njeriu i kemi varë në qafë punën e tij dhe Na – do t’ia paraqesim atij në Ditën e Kijametit – librin që do ta gjejë të hapur:
14
(i thuhet): “Lexoje librin tënd, mjafton që ti sot vetë për vetveten të japësh llogari!”
15
Kush udhëzohet në rrugën e drejtë, ai është udhëzuar (për dobi të vet), e ai që bredhë, ka bredhur në dëm të vet dhe askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt. Na nuk dënojmë (askend) para se të dërgojmë pejgamber!
16
Kur Ne duam ta shkatërrojmë një qytet, (për mëkatet e bëra), i nxitim ata që janë mësuar me jetë luksoze, që të jepen pas korrupsionit (mbrapshtive), e kështu të meritojnë dënimin, dhe pastaj t’i shkatërrojmë ata gjer në themel.
17
Sa e sa gjenerata Na i kemi shkatërruar pas Nuhut! E, mjafton që Zoti yt di dhe sheh mëkatet e robërve të Tij.
18
Kush dëshiron këtë botë, Na ia shpejtojmë atij që t’i japim në të (në këtë botë) çka të duam e për kë të duam. E, pastaj ia caktojmë atij xhehennemin, në të cilin ai do të fërgohet, duke qenë i fyer dhe i dëbuar.
19
E, kush dëshiron botën tjetër dhe përpiqet për të, e është besimtar, përpjekja e tyre është e falenderuar.
20
Na të gjithëve u ndihmojmë: këtyreve dhe atyreve – me dhuratat e Zotit tënd. E, dhuratat e Zotit tënd nuk janë të penguara.
21
Shiko si i kemi dhuruar ne disa ndaj të tjerëve. E, bota tjetër, në të vërtetë, është më e madhe përkah pozitat dhe dhuntitë.
22
Mos merr për zot tjetër kend, përpos Perëndisë, e të mbetesh i sharë dhe i poshtëruar.
23
Zoti yt ka urdhëruar që ta adhuroni vetëm Ate dhe t’u bëni mirësi prindërve. Nëse njëri prej tyre, ose të dy, arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre: “Uh!”, dhe mos i kundërshto ata (me fjalë të këqia), dhe drejtohu atyre me fjalë respekti.
24
Lëshoj para tyre krahët tuaj të përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë edukuar kur isha unë i vogël!”
25
Zoti juaj di më së miri ç’keni në shpirtërat tuaj. Nëse ju jeni të mirë, Ai, me të vërtetë, është falës për ata që pendohen.
26
Epjuni të afërmve të drejtën e tyre (ashtu si jeni urdhëruar), të varfërit dhe udhëtarit (që ka ngelë në rrugë), por mos bën shpenzim të pavend.
27
Shpenzuesit e pavend (batakçinjtë) me të vërtetë, janë vëllezërit e djallit, e djalli është mohues i (të mirave të) Zotit të tij.
28
E nëse shmangesh nga ata, duke kërkuar mëshirën e Zotit tënd, të cilën ti e shpreson, atëherë, thuaju atyre ndonjë fjalë të butë.
29
Mos e bënë dorën tënde të lidhur për qafën tënde (mos u bënë koprrac), as mos e hap tepër dorën tënde, e të mbetesh i qortuar (për shkak të koprracisë) dhe i pikëlluar (për shkak se ngelesh pa mjete).
30
Me të vërtetë, Zoti yt i jep me bollëk furnizim kujt të dojë, e ia kufizon kujt të dojë; Ai, me të vërtetë, i di dhe i sheh robërit e vet.
Sonraki 30 ayet →